Showing posts with label "Ki$land - roman me fëmini". Show all posts
Showing posts with label "Ki$land - roman me fëmini". Show all posts

Pushtet


… synimi im nuk ka qenë e as besoj se do të jetë ndonjëherë që libri të bëhet sa më i besueshëm për lexuesin. Libri duhet të jetë sa më i vërtetë. Çështja e besueshmërisë i përket e gjitha lexuesit. Me vete e kam quajtur roman me fëmini, për shijen që ka fati - dhe kjo mendoj se u jep përgjigje të gjitha pikëpyetjeve teorike e kritike. Ashpërsia e zakonshme ndaj mangësive të vetes ma bëri më të qartë fëmijërinë. Ndodhi, jo pa dhimbje, zhvendosja e një bote të tërë nga gjeografia në letërsi. Pogradeci i hershëm, Tirana e gjimnazit, malli dhe pengjet e aq njerëzve që ikën pa dashuruar aq sa ëndërronin, mallëngjimet dhe hidhërimet vetjake, pamundësitë, lumturitë dhe arritja e disa qëllimeve në jetë etj. Gjeta madje disa përgjigje edhe për krisjen e madhe që pat ndodhur në fatin tim pas largimit nga atdheu. Dyzimi i Gined Enkelanës, më fuqishëm se ai i Home Çkenës tek „Home”, më qartë se i shqiptarit tek „Ëngjëjt e tepërt”, më poetik se sa ai i Ilirit me një sy tek „Sy” etj, më ndihmuan të stërvitem me një gjendje që mund të përshkruhet si koha kur vdekja të mban ndarë nga klasikët, kurse jeta - nga miqtë dhe nga smirëzinjtë, por sidomos të mban larg vendlindjes. M’u fal një pamje më e përsosur e pjekurisë, e pleqërisë së mundshme, ose e vdekjes së parakohshme. Të gjitha janë shprehur me shqipe shpirtërore në roman. Autori

"Dija vetëm se atë vit kur varreza më fali trëndafilin, Komandantit i qe tekur ta pagëzonte Enkelanën Qyteti i Luleve, (mbase i qenë veguar para kohe malet me lule që do të rropateshin t’ia davaritnin kutërbimin e krimeve) dhe shyqyr që s’i pat rënë udha nga varret, se do ma kish këputur trëndafilin fatsjellës. Asgjë më tepër, por as më pak. Përndryshe, kalëroja drejt thelbeve, drejt përfundimeve dhe aty ku mbaronte një djegie, një lumturi, niste tjetra. Ose ndodhnin të gjitha njëheresh. S’mund të jem i saktë. E gjitha më kujtonte fatin e thëngjijve në mangall: digjeshin, shndërroheshin ngadalë në hi, dhe s’mund të përcaktoje se cili digjej më shumë, para a pas të tjerëve. Thëngjijtë ishte jeta ime, kurse hiri – mbijeta. Sepse hiri m’i mbante fshehur thëngjijtë, me gjithë dhembjen, dhimbsurinë, mallin, mallëngjimin dhe ëndrrat e tyre nga sytë e të tjerëve e sidomos nga pështymat. Një thëngjill mund të cilësohej shajnia ime mes varreve, me trëndafil në dorë, duke e gdhirë si puna e fëmijëve të dikurshëm, që, për të dhënë sprovën e parë të burrnisë, viheshin ta gdhinin mes varrezës. U ktheva në Enkelanë edhe më i dashuruar, me trefish më shumë miq në botën tjetër, se sa në këtë botë. Thëngjilli tjetër vezulloi mes liqenit dhe sheshit para hyrjes në parkun e Drilonit, ditën kur Komandanti bujti si përvit të shpinte kokallat dhe të mufaste kujtimet. Kisha dalë me Arielën për piknik dhe autobuzi na kish ndalur mes misrave e ferrave ndanë rrugës, sepse po vinte Komandanti. Dy javë më parë qenë dyndur në qytet toga ushtarësh të zgjedhur, topa, mortaja, tanke dhe dy nëndetse të vogla. Kur Komandanti po na përshëndeste si puna e atij sazexhiut që flladit kakofonitë e një gazele, isha gjendur mes veturës së tij dhe Lasgush Poradecit që ndodhej në shesh bashkë me vajzën e madhe. Krokama e parrullave, përbetimeve dhe urimeve më kish topitur. Edhe Komandantin, edhe Lasgushin i shihja për herë të parë gjallë. Pata qënë ca kohë bebëza e njërit prej syve të Komandantit, mirpo më kishin pushuar nga heroizmi, sepse më pat zënë gjumi nga kapitja dhe nuk e pata hapur bebëzën në kohën e duhur. Isha ende i magjepsur nga muzika dhe përndritjet e verbit lasgushian. Në përputhje me vegimet e mia prej xhindi bibliotekash e kinemash, librat e Lasgushit ishin stër-libra. E shndërronin letrën e vet në atllas ngjyrë qielli vjeshtor dhe mbanin era mysk, unap e hënë pesëmbëdhjetëshe edhe sikur t’i shfletonin parreshtur qënie me dhëmbë të prishur, me ndjenja të mykura, dështakë e papagaj që ishin zënë jo me lot, najrí* e spermë, po me jargë, edhe sikur t’u vije flakën apo t’i burgosje në ndonjë nga shumë depot e atdheut e të vëmendjes. Thëngjilli im pipëtiu në shesh. Komandanti zbriti nga vetura dhe u kthye me sytë largpamës nga mileti. Lasgushi sapo qe kthyer në drejtim të Enkelanës. Ja, më foli thëngjilli: historia, poezia dhe ti. Po, ia ktheva: ja dy pushtete, njëri me sot – me nesër, tjetri me nesër – me përjetë, mirpo është edhe një pushtet i tretë këtu, ndofta i treti – i vërteti. Një pushtet që s’e njeh ende askush, por që do të ndihet një ditë. Sepse ky është pushtet njerëzish që vdesin të rinj e me shumë pengje e malle, një pushtet që vetëm ndihet, nuk flet shumë, nuk mban shënime, nuk mburret, nuk zë vend as në kujtesën e njerëzve, as në vëmendjen e tyre. Ky pushtet vetëm vepron. Në heshtje, me përkushtim të frikshëm, pa mëshirë, njëlloj si arti, njëlloj si sëmundjet, si shpresa, si vdekja, si ngjallja, si diplomacia a triplomacia e të shumtëve. Hëpërhë ky pushtet më ka mua, jeton, vepron dhe shprehet përmes meje. Më vonë, shohim e bëjmë. (...)


* Duhet të jetë fjala për lartimin, fluturimin, pezullinë mbinjerëzore. Shqipërim, ose sajim i imi.
________

Fragment nga Ki$land - roman me fëmini, Librarium Haemus 2014
Një dëshmi e autorit
Foto: A.-Ch. Kyçyku

Idera - nga "Ki$land - roman me fëmini"

"VIII

Pasi u stërvita shpirtërisht që t’i flisja, i shkrova nja dyqind letra që mund të quhen letra dashurie, ose, më saktë: letra pushteti të pamarrë. Qeshë përzjerë në një betejë të padëgjuar me letrën dhe bojën e shkrimit, aq sa shpesh i merrja heshtjet e Inës si hakmarrje, apo edhe si mallkime të letrës dhe bojës. Kur ndodhte të hyja në kinkalerinë e lagjes, (dhe kjo ndodhte përditë), shishkat e bojës më ngjanin me ca vezë që ngjethen e thonë lutjen e fundit pak para se ndonjë zëngjirur t’i pijë me fund. Zbulova me ëndje të veçantë se të shkruarit m’i rriste flokët me shpejtësi, ndonëse dyshimi për morra nuk më bezdiste. Për dashurinë mund të zija jo vetëm morra, por edhe plumba po të qe nevoja. Aq më tepër që flokët m’u rritën të verdhë, pak më të muzgët se të Inës. Letra e mbrame që i qëndisa ndrynte në rreshta vetë thelbin e frymëmarrjeve të mia. Pra: Fjalët janë shumë të dobëta për të shprehur atë që ndjej ndaj teje. Po të them vetëm TË DUA! Mendohu dhe vendos! Këtë letër e ndava mendjen ta mbaja me vete e të mos e përfshija në Thesar, ndonёse faktet e mёvonshme historike mё bindёn se nuk qe kopja e vetme. Mund të thuhet me plot gojën e plot bojën se ato fjalë nuk i kisha shkruar, por lindur. I kisha hartuar me durim burgaxhiu e murgu, me heshtje varri, me mall të vdekuri e gjení kaligrafësh nga ata të lashtësisë. Po t’i hidhje një sy kalimtar asaj letre të rëndomtë fletoreje aritmetike, mund të betoheshe se autori kish zgjedhur nga një album fluturash të rralla e të thara kockëzat e tyre, i pat prerë me gërshërëzë, i pat ngjitur me pështymëzë fëminie a gjak djali të përkorë dhe kish shkruar. Mbeta me bindjen se Ina do të kish rendur drejt dhomës sime e do të më qe hedhur në krahë thjesht edhe vetëm po ta shihte atë letër, pa lexuar fare ç’përmbante. Gjatë hartimit të letrave zbulova edhe thelbin e fjalës duarartë.

Çmallje / Nga "Ki$land - roman me fëmini"

Ariela qeshi me gjithë shpirt me rrëfenjën e udhëtimit të posaçëm, – titulluar Të gjeta në këtë botë e s’po të gjej në një skutë të saj, – atë natë Viti të Ri në Durrës, një vit pas vdekjes së Kufitarit, kur Bajlozi dora vetë iu shfaq krejt papritur te pragu i restorantit, veshur në të bardha, me celularin dhe me çelësat e Mercedesit në dorë, qethur zero, me ata sytë pak si të vëngër dhe me rebrat ku vareshin si çarçafë bëmat e dhjetë vjetëve mungesë. Ajo qe grindur keq, si në çdo fund viti e afrim festash, me “mortjen e vet vizë-vjeçare” (ashtu pat pagëzuar jo krejt pa dhimbsuri pashain e strucave) dhe bashkë me dy shoqe nga ato fatpadalat qё iu vijnё zakonet njё orё para se tё dalin pёr gjah e t’ia bёjnё njё herё fora, kishin vendosur ta festonin Vitin e Ri buzë Adriatikut. Ariela jo, por dy shoqet e saj, lënesha, por plot humor, rrinin mbrehur pas qerres së bestytnive. Ende besonin fshehtas se, po ta festoje Vitin e Ri në një vend të ndryshëm nga ai ku gjalloje rëndom, ai të sillte tjetër fat, ndonëse bregdeti qe bërë gati njëlloj kudo, edhe majëmalet, edhe zonat e tjera turistike, e fati mbetej po aq koprac, ose ato nuk qenë në gjendje të besonin diçka tjetër, ose dikë tjetër. Do të kishin vigjëluar buzë Adriatikut qysh në verë, po ta kishin ditur se ai Vit i Ri do t’u sillte si peshqesh turbullues vetë Gined Enkelanën, tashmë i mirënjohur në klube e gazeta (me emrin e përditshëm) si mbrojtës viktimash dashurie, Dashnorin që i priste vitet e rinj ku ta gjenin, ose më saktë: ku mbante Zonën e Dashurisë, dhe i cili, sapo rinjohu Arielën e tij të vetme, u përkul mbi tryezën e tyre, i afroi buzët tek vathët dhe pëshpëriti:

"Si ti qoftë Vdekja…" / Ki$land – roman me fëmini


"Shpesh më duket sikur fle në fund të një rruge. Në pragun e një rruge që nis ku mbyllet rruga ime. Ose dita ime. Ose ëndrra ime. Shkolla ngrihet në skaj të një rrjeti rrugicash e qorrsokakësh. Që t’i ruheshin sadopak zallamahisë sonë, banorët e mëhallës, shumica pleq cingunë, veteranë lufte që kishin tradhtuar vazhdimisht nga pak, aq sa të mos linin kockat burgjeve, patën lartuar muret dhe i kishin mbushur me copëra shishesh të thyera, kangjellash të vjetra, bajonetash e teneqesh tërë ndryshk. Muret ishin të palyer nga brenda dhe të pispillosur me parrulla nga jashtë, në oborrin e shkollës. Demokraci për shumicën, diktaturë për pakicën. Isha bir i pakicës, sepse pata lindur zgjuar. Zgjuar në bark të simëje, zgjuar në gjumë, zgjuar pas vdekjes. E s’i lypja kërkujt shpërblim për pagjumësinë time. Majë mureve dhe nën dritare harliseshin veshulët e rrushve dhe kumbullat, hurmat, portokallet, mandarinat, trëndafilat shumëngjyrësh. Në oborrin e shkollës gjallonin si duke mërmëritur vetëm pesë plepa të moçëm, myshkur drejt veriut, nxirosur nga rrufétë. Njëherë rreth plepit më të hershëm u spërdrodh një rrufé verbuese, e cila, përveç degëve që i bëri shkrumb, mbushi oborrin me hi fluturash të bardha e kufoma sorrash të vrara apo thjesht të shurdhuara gjer në shpirt. Këto ngordhën pas disa minutash. Në fillim të vjeshtës pleqtë na shisnin hurma farzeza, kumbulla e mollë, kurse gjatë dimrit na çanin me thikë topat që kapërcenin muret. Mbeturinat e topave ktheheshin në oborr si lëvozhgat e ca frutave tashmë të pira a të ngrëna me babëzi përtej mureve, atje ku rrezik jeton ajo kafsha trungrënëse. Njëherë ra tërmet i madh: hardhitë me gjithë hurmat u përmbysën në oborrin e shkollës. Fëmijët që ishin pushim u turrën të shuanin urinë dhe etjen, kurse pleqtë dolën nga bahçet dhe, në vend të ruheshin nga tjegullat që flatronin nga të katër anët, apo nga muret që thërrmoheshin, rendnin pas fëmijëve dhe i fshikullonin. Dukej sikur më mirë vdisnin duke edukuar brezin e ri, se sa të shpëtonin gjallë sëkoti, pa aq rrush, hurma etj. Në ato çaste beteje plot klithma e grahma të dyfishta, tmerri e gazmendi, brenda shkollës u shembën tavanet e katit përdhes, alias dyshemetë e katit të dytë. Nxënësit e sipërm u gjendën kalaqafë mbi ne (më tokësorët). Ranë me gjithë banka, libra, kallamare e vazo lulesh, ranë edhe mësueset e çmeritura, disa prej të cilave u gjendën poshtë vetëm në mbathje e këmisha të shqyera gjatë fluturimit. Për fat, nuk pati asnjë të vdekur a të plagosur, ndonëse, me thënë të drejtën, nuk kishim parë ende ndonjë fëmijë të vdekur. Një hukamë shumëngjyrëshe, e rrënqethur nga cijatjet e minjve që popullonin bodrumet dhe ujrat e zeza të shkollës, mbushi hapësirën gjer në vrimat e merimangave, dhe ne pritëm që të binin edhe muret e mbetur. Se tërmeti, siç m’u duk në ato çaste, nuk ishte veçse një zë i mbajtur mbyllur. Jo zë i një njeriu të vetëm, por i një brezi, i një bashkëjetese të pavetëdijshme. Po shpupurisja trutë mbi një ushtrim aritmetike dhe mbi pyetjen nëse mësuesja ime flokëverdhë, ajo aq e ëmbla sa të vinte ta lëpije në gjumë, e bënte atë punë, kur tavani u kris me një nënqeshje (në fakt: mbi-qeshje) të ligë, ngrita kryet, qielli i përhimë me rrjeta merimangash u nda në disa copë dhe u mbush me gropa, gjuhë, shirita suvaje që bëhej rërë (për klepsidrat tuaja); bythkat na kërcyen përpjetë, goditëm me kokë anembanë, s’dihet kë, s’dihet ku, s’dihet pse, si për të parë e për t’u parë më qartë, gjersa e pashë veten të mbërthyer dëshpërimisht mes një shkurrnaje këmbësh, dërrasash, këpucësh dhe britmash. Desha të kthehesha në ndonjë anë, por qe e pamundur. Njëlloj sikur të isha shndërruar befas në një trompetë, thirra “a-a-a-a!”, më fort për të dëgjuar e për t’u bindur se truri nuk qe vjedhur meje nga lebetia, qesha pa shkak, humba shpresat, secili kujiste “Olele, o nëna ime!” në këtë botë. Papritur ndjeva se shpinën e kisha më të butë. Gjysmë i përhumbur u përdrodha pak majtas, nga krahu i zemrës, zgjata gishtat mbrapa, sikur tërmeti të ma kishte kthyer kokën mbrapsht, ndesha në diçka të butë e të ngrohtë. Po të mos merrte frymë si ndonjë zogth, do të mendoja se po prek fekalet e mia. U zvarrisa dëshpërimisht, duke u rropatur të mbaj sytë hapur, sytë që m’i kish rënduar një nga më këndshmet përgjumje të mundshme, edhe pak më lart, fare pak më lart: ishte mish njeriu. Mish vajze. Aty çeli, si të thuash, nuhatja ime ndaj trajtave femërore. Nuhatja prej qeni kufiri. Prej përbindëshi të mbushur plot me mall. E me dashuri mbinjerëzore. Gishtat më qenë zhytur në kurmin e saj dhe përgjërohesha të mos kisha humbur shikimin. Pata prekur buzët e jashtme të seksit femëror, një fqinjës sime në kopësht, por kjo ishte tjetërgjë. Shkita gishtat mbi kofshën e saj të majtë, preka mbathjet me qëndisma, pastaj u ngjita më lart, sadopak më lart, tek gufmimi i lehtë i gjinjve të ardhshëm – aty ngela. Ngela në jetë, ashtu siç ngelim në klasë. Me një shije të pathënshme lumturie, veçimi nga turma. Po të ngjitesha qoftë edhe një gisht më lart, do të më dilte shpatulla vendit. Po le të më dilte! M’u errën sytë e mbyllur. Ndjeva gudulisje në qafë; ca nga lumturia, ca nga shtrëngesa që më merrnin frymën, i dhashë trupit me gjithë forcën, mirpo, megjithë zjarrminë gati mesianike që më frymëzuan krahasimet me herkulët e filmave, arrita të lëvizja vetëm rropullitë e mia. Atëbotë u bëra mehit nga dështimi dhe shfreva pluhurin nga buzët:
- Kush je, moj, ti, se ma more frymën?!